Si të marr patentën e shoferit në Kosovë: hapat me radhë
Përditësuar: tetor 2026
Patenta e kategorisë B merret në tri faza: aftësimi në autoshkollë, provimi teorik dhe provimi praktik. Pastaj patentën e merr në Qendrën për Pajisje me Dokumente. Ja çdo hap me radhë.
1. Kontrollo moshën
Për kategorinë B duhet të jesh 18 vjeç. Sipas ligjit, aftësimi në autoshkollë mund të fillojë jo më herët se gjashtë muaj para moshës së kërkuar (neni 42).
2. Merr certifikatën mjekësore
Certifikata mjekësore për patentë shoferi merret te një institucion shëndetësor. Të duhet në regjistrim, në provim dhe kur e merr patentën.
3. Regjistrohu në autoshkollë
Zgjidh një autoshkollë të licencuar dhe regjistrohu me letërnjoftim dhe certifikatën mjekësore. Autoshkolla i dërgon të dhënat e tua në Ministrinë e Infrastrukturës.
4. Ndiq mësimet teorike
Për kategorinë B ligji kërkon së paku 20 orë mësim teorik; për kategoritë tjera së paku 15 (neni 45). Mësohen rregullat e trafikut, shenjat, përparësia, gjendja teknike dhe ngasja ekologjike.
5. Kalo ndihmën e parë
Ndihma e parë është pjesë e programit të provimit (neni 59). Kursi zakonisht bëhet në Kryqin e Kuq dhe përfundon me certifikatë.
6. Jep provimin teorik
Provimi teorik bëhet me shkrim ose elektronikisht (neni 60). Sipas autoshkollave, testi ka zakonisht 30 pyetje dhe 45 minuta. Ushtro falas në Autoshkolla.org me testet sipas temave dhe simulimin e ditës së provimit.
7. Bëj orët praktike
Për kategorinë B ligji kërkon së paku 20 orë ngasje me instruktor; për kategoritë tjera së paku 15 (neni 47).
8. Jep provimin praktik
Për kategorinë B provimi praktik zgjat së paku 25 minuta (neni 65). Kontrollohen përgatitja para nisjes, manovrat (parkimi, kthimi) dhe ngasja në trafik.
9. Merr patentën
Pasi kalon provimet, apliko personalisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente të MPB-së me letërnjoftim, certifikatën mjekësore dhe vërtetimin e kalimit të provimit. Taksa është 15 €; procedura urgjente kushton 50 € më shumë (MPB).
Pyetje të shpeshta
A mund ta jap provimin praktik para teorisë?
Jo. Në praktikë autoshkollat të paraqesin në provimin praktik vetëm pasi ke kaluar provimin teorik.
Ku jepet provimi?
Në njësitë për patentë shoferi të Ministrisë së Infrastrukturës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan.
Çka do të thotë “shofer fillestar”?
Sipas ligjit, shofer fillestar je dy vitet e para pasi merr patentën e kategorive A, A1, A2, B ose B1 (neni 3).